02/05/2018
Në legjislaturën e VI –të Kuvendi i Kosovës është përballur vazhdimisht me mungesë të kuorumit, mirëpo kjo problematikë është theksuar më shumë gjatë vitit 2018.Për periudhën janar – mars të këtij viti nga tetë seanca sa ka mbajtur Kuvendi, të gjitha janë shtyrë për mungesë kuorumi. Këto seanca janë përcjellë me vazhdime madje deri në katër herë. Ndonëse në listat e pjesëmarrjes të seancave të mbajtura për këtë periudhë kohore janë nënshkruar 90% e deputetëve, një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë qëndruar në sallë deri në përfundim të seancës. Për rrjedhojë votimi i pikave të rendit të ditës në ditën kur është paraparë ka qenë i pamundur për shkak të mosprezencës së deputetëve.
Dështimi i shpeshtë i seancave të Kuvendit e ka lënë prapa atë sa i përket miratimit të ligjeve, për më tepër ka ndikuar edhe në prolongimin e shumë çështje të parapara për shqyrtim dhe stërngarkimin e seancave me shumë pika të rendit të ditës.
Ky komoditet i deputetëve për të mos qëndruar deri në përfundim të seancave dhe për të përfituar mëditjet pa pjesëmarrje të plotënë punimet e Kuvendit vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit. Rregullorja parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave.Përderisa Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është në procedurë të shqyrtimit, deputetët duhet që të adresojnëdhe rregullojnë këtë çështje.
Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!