Kuvendi deri më tani ka përmbushur vetëm 18% të agjendës legjislative për vitin 2018

Ndonëse në dy vitet e paraprake ishte shndërruar në praktikë që Kuvendi të mos miratojë një plan të punës i cili parashihet me Rregullore, këtë vit Kuvendi e ka miratuar një të tillë edhe pse tre muaj pasi kishte filluar punimet për vitin 2018. Në bazë të këtij plani të punës, në agjendën legjislative janë paraparë të shqyrtohen gjithsej 135 projektligje, 22 prej të cilave janë të bartura nga viti 2017. Në ndërkohë, agjendës legjislative i janë shtuar edhe nëntë projektligje të tjera që më herët nuk kanë qenë të parapara, duke rritur numrin në 144 projektligje të planifikuara për shqyrtim këtë vit.

Iniciuesi kryesor i projektligjeve të miratuara mbetet Qeveria. Nga muaji janar 2018 deri tani Kuvendi ka arritur që të miratojë 27 ligje apo 18% të planifikimit. Prej ligjeve të miratuara, 8 ligje ishin në plotësim/ndryshim, 5 ligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe 14 ligje të reja. Ndërkohë në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim janë edhe 55 projektligje (38%), ndërsa 62 projektligje (43%) nuk janë përgatitur ende. Edhe këtë vit është përsëritur dukuria e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar, gjë që ka ndodhur me 11 projektligje që kanë qenë të parapara për miratim në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane.

*Përmbushja e agjendës legjilsative, si përqindje, matet duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të projektligjeve të cilat janë paraparë për miratim në Planin e Punës të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, si dhe projektligjeve të cilat janë futur në agjendën legjislative në ndërkohë, pa qenë paraprakisht të planifikuara. Periudha kohore e cila përfshin këtë matje, fillon që nga dita përkatëse kur zyrtarisht ka nisur punimet sesioni pranveror i këtij viti, deri në momentin kur ky fakt është publikuar.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!