Moduli i dialogut Kosovë-Serbi
Informacione rreth marrëveshjeve dhe rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e Qeverisë, fakte, infografika e sondazheve, si dhe mundësi për t’iu bërë deputetëve pyetje direkte për këtë proces.
Shih marrëveshjetShqipe Pantina, PSD
I nderuar Agim,
Faleminderit për pyetjen tuaj. Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka kaluar në Kuvend para disa muajsh dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor ka qenë përgjegjëse për hartimin e akteve nënligjore që pastaj komunat të fillojnë legalizimin e tyre. Me sa jam në dijeni aktet nënligjore janë miratuar dhe tani komunat janë duke i pranuar kërkesat për legalizim. Ju duhet të aplikoni tek Drejtoria e Urbanizmit në komunë ku edhe do ju japin më shumë detaje rreth kushteve të legalizimit. Nuk besoj se do ketë problem për legalizimin e shtëpive apo ndërtesave që janë në përputhje me planet urbanistike, problemi qëndron tek shtëpitë që janë të ndërtuara në toka publike.
Unë uroj që ju ta legalizonin shtëpinë tuaj shpejt dhe pa probleme.
Sinqerisht,
Shqipja
E nderuara deputete, cili është qëndrimi i PSD-së në lidhje me Ligjin për Objektet pa Leje, përkatësisht për ato objekte të cilat do të futen në listën e pritjes. Babai im i ndjerë ka blerë truall në Prishtië në vitin 1985, ndërsa ka ndërtuar shtëpinë në vitin 1995. Tani në kadastër po figuron që shtëpia jonë është në pronë publike. Si mendoni që t’i zgjedhin këto probleme, me sa kam pa, ekziston një numër i madh i qytetarëve që ka të njëjtat telashe. Me respekt, Agimi!
Muharrem Nitaj, AAK
Ligji për automjete ka pësuar ndryshime që nuk kanë qenë të votuara në Komision, prandaj nuk është votuar as në seancë plenare. Tani është në proces të rikthimit në lexim të tretë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.
Kur të kalojë leximi i tretë nxirret për votim në seancë plenare.
Përshëndetje deputeti Nitaj, deshta të të pyes lidhur me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Automjete. Pse ky projektligj ende nuk ka ardhur në Kuvend për miratim ose jo, por po zvarritet?
Albin Kurti, LVV
Përshëndetje Lirion,
Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi reaguar disa herë lidhur me këtë çështje përmes konferencave për shtyp, deklarimeve tona në institucione, etj. Gjithashtu, është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në Kuvend, ku ne kemi marrë pjesë dhe kemi diskutuar rreth problemeve të shumta dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë sektor. Ne kemi shprehur mendimin dhe shqetësimin tonë rreth kushteve të rënda të punëtorëve dhe mungesës së rregullave për mbrojtjen e punëtorëve në vendin e tyre të punës çdo herë që kemi pasur rastin. Deputetët e Lëvizjes kanë ftuar në raportim Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektoratin e Punës, por, fatkeqsisht, Qeveria as nuk përgjigjet e as nuk mbanë përgjegjësi për këto raste.
Përshëndetje i nderuar z.Kurti, vitin e kaluar kanë vdekur 28 persona në vendin e tyre të punës në sektorin privat dhe vazhdimisht përballen me këto kushte. A nuk e meritojnë një seancë për këtë gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e kësaj situate që është krijuar në vendin tone, ku me mijëra të rinjë po ikin jashtë vendit, njëri ndër ta jam edhe unë. Kam shpresë tek ju dhe kolegët e juaj që do të merrni hapa konkret rreth kësaj çështje. Me respekt!
Albin Kurti, LVV
Përshëndetje Fahredin,
Po, unë mendoj se një marrëveshje e tillë duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës me dy të tretat. Por, dy të tretat janë të nevojshme prej fillimit, jo vetëm në fund. Për shembull, kur është votuar për ‘delegacionin shtetëror', mezi i bënë 59 vota. Është e rëndësishme të theksohet që çdo herë në Kuvendin e Republikës kur u delegohet një mision a një funksion i rëndësishëm emrave të përveçëm, atëherë duhet të vendoset me 2/3. Dy të tretat janë të domosdoshme pra, kur votohet për emra të përveçëm, sepse shteti ngelet disi në mëshirë të karaktereve njerëzore të individëve të veçantë. Pra, siç e theksova edhe më lart, dy të tretat prej fillimit, jo dy të tretat në fund. Nëse duam konsensus nacional, shtetëror, për këtë çështje kaq të rëndësishme, të cilën e pohojmë të gjithë, me dy të tretat prej fillimit: dy të tretat platforma, dy të tretat ekipi negociator. Jo dy të tretat vetëm në fund për marrëveshje. Konsensusi progresiv e do shumicën prej dy të tretave prej fillimit, jo vetëm në fund.
I nderuar z.Kurti, cili është mendimi juaj për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, cila është e ardhmja e këtij dialogu?
Albin Kurti, LVV
Përshëndetje Gëzim,
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar alternativën me katër hapa për bisedime me Serbinë, pra për bisedime alternative, të përgatitura mirë për zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme. Këtë alternativë ne e kemi prezantuar në konferenca të shumta për medie, në tryeza të përbashkëta dhe në Kuvend.
Hapi i dytë që ne kemi propozuar është se ne duhet ta dimë se çka duam, cilat janë qëllimet tona në bisedimet me Serbinë. Kuvendi i Republikës duhet ta përcaktojë qartë se cilat janë qëllimet e shtetit tonë dhe ato qëllime duhet të përkthehen mandej në listë kërkesash zyrtare ndaj Serbisë. Natyrisht që edhe Serbia do të ketë listë të kërkesave, por kjo nuk na intereson neve tash. Ne duhet ta dimë dhe përcaktojmë çka ne duam, psh. njohja e pavarësisë, kthimi i të pagjeturve, reciprociteti i të drejtave, reparacioni e sukcesioni etj. le ta përcaktojmë qartë e saktë dhe le ta bëjmë këtë kërkesë zyrtare.
Ne, sikurse ju, mendojmë se të gjitha partitë mund të pajtohen rreth kësaj liste dhe se është e domosdoshme që ta kemi këtë listë para se të shkojmë në negociata me Serbinë.
Përshëndetje z. Kurti, pse nuk bëheni bashkë të gjitha partitë dhe ju deputetët e LVV-së me qëndrime të njëjta, që Serbia të na kthej dëmet e luftës prej vitit "1981" - "23-03-2019". Shuma e përgjithshme që Serbia ka borxh ndaj nesh është 55 miliardë euro prej tyre 35 milardë euro për Kosovën dhe 20 miliardë euro që u’a ka borxh shteteve që e kanë ndihmuar Kosovën? Mendoj që në të gjitha televizionet e Kosovës kjo temë është tabu dhe nuk flitet as nga deputetët e LVV-së dhe partive të tjera.Mendoj që kjo temë është aq e gjerë dhe aq e nevojshme për Kosovën sa që i "zhbllokon" të gjitha temat tjera në Kosovë.
Ganimete Musliu, PDK
Përshëndetje,
Faleminderit për pyetjen dhe bashkëpunimin.
E di saktë problemin tuaj dhe shumë probleme të Transmetuesit Publik RTK, prandaj edhe nuk e kam votuar atë Projektligj. Do të mundohem që të jap kontribut në lexim të dytë por nëse nuk mundem me bë ndryshime une përsëri nuk do ta votoj Ligjin në fjalë. Edhe njëherë faleminderit për pyetjen dhe bashkëpunimin!
Me konsideratë,
Ganimete Musliu
Përshëndetje e nderuara deputete, para disa ditësh deputetët e votuan projektligjin për RTK-në ku ndër të tjera parashihet edhe pagesa prej 2.50 euro për RTK-në. Krejt kishte me qenë në rregull sikur të kishim cilësi të mirë të transmetimit në transmetimin analog (me antenë të thjeshtë) për ne që nuk kemi kabllovik. Ndoshta ju kujtohet kur Serbia e pengonte RTSH-në para luftës me çfarë cilësie e shikonim asokohe RTSH-në edhe ne tani e shikojmë RTK - në me atë cilësi, cilësi shumë të dobët të fotografisë. Së pari është dashur të dilni në teren e të shikoni se si është cilësia e transmetimit. Nëse nuk besoni ejani deri në Skenderaj edhe e vërtetoni vet. Kjo është një padrejtësi e madhe, të paguash diçka që nuk ka cilësi është sikur bukëpjekësi të ta shes një bukë të pa pjekur. Shpresoj se do të më ktheni përgjigje!
Albulena Haxhiu, LVV
I nderuar Besart,
ju falenderoj për pyetjen tuaj. Më lejoni të ju informoj që Ligji i Punës i cili është në fuqi, nuk parasheh dallime ndërmjet punëtorit në sektorin privat dhe publik. Në nenin 2 të tij, ku flitet për fushën e zbatimit thuhet se:" Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të punësuarit dhe punëdhënësit e sektorit privat dhe publik në Republikën e Kosovës"
Por pavarësisht këtij obligimi, problemi po qëndron tek niveli i zbatimit të tij dhe padyshim që moszbatimi i ligjit sjell probleme të mëdha tek punëtorët dhe ky problem qëndron tek shume institucione me ligje te tjera, për shkak mentalitetit. Tani është në shqyrtim projektligji i ri i punës, duhet parë mundësitë se si të adresohet sërish kjo por poashtu Kuvendi dhe komisioni përkatës, duhet të filloj me mbikëqyrjen e zbatimit të tij, pra duhet të gjinden format e presioneve për zbatim dhe sanksione për të gjithë ata që nuk zbatojnë këtë Ligj.
Ju falenderoj shumë!
Përshëndetje e nderuara deputete znj.Haxhiu, a mund ta di se pse nuk po rregullohet çështja e punëtorëve të sektorit privat nëpërmjet ligjit, ku qëndron problemi?
Albulena Haxhiu, LVV
Përshëndetje Festim,
Ju kërkoj falje për kthim me vonesë të përgjigjes.
Ligji për pagat ende nuk ka nisur të zbatohet. I njëjti ka krijuar shumë ndasi dhe ka thelluar diskriminimin. Ka diskriminim edhe brenda vet sektorit publik. Ka kategori qe janë privilegjuar dhe të tjera që janë nënvlerësuar. Megjithatë dallimi më i madh është bërë ndërmjet sektorit publik dhe privat. Sektori privat, përveç pagave të vogla, punojnë me kushte shumë të vështira, pa kontrata pune, pa pushim pra në shpërputhje me Ligjin e Punës.
Unë nuk kam parë vullnet të Qeverisë aktuale për të adresuar problemet në sektorin privat madje as nuk besoj që me këtë Qeveri do të zgjidhen prandaj zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet.
Përshëndetje deputetja Haxhiu, ju përgëzoj për punën e mirë që po bëni! Së fundi keni miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik, por sektori privat vazhdon të jetë shumë problematik. Ne që punojmë në këtë sektor, punojmë me orar të stërgjatur dhe paga që e marrim nuk e kalon shumën prej 180 euro. A keni mundësi të ndërrmerrni ndonjë inciativë brenda Kuvendit për këtë çështje?
Albulena Haxhiu, LVV
I nderuar Visar,
Ju kërkoj falje për kthim të përgjigjes me vonesë. Pajtohem që personat me nevoja të veçanta janë lënë në harresë dhe përballen me kushte të vështira.
Ju lutem, m'i dërgoni kërkesat që keni dhe do t'i adresojmë. Emaila ime është [email protected].
Përshëndetje deputetja Haxhiu, pyetja ime ka të bëj me gjendjen jo të mirë të personave me aftësi të kufizuara. Ne si persona që i takojmë kësaj kategorie kemi mbetur në gjendje jo të mirë nga kjo keqqeverisja, me ç’rast unë si qytetarë i Republikës së Kosovës kam parashtruar kërkesë përmes emailit thuajse tek të gjithë ministrat, por që nuk kam marrë përgjigje nga asnjë. A mundeni ju të ndërmerrni diçka në këtë drejtim në Kuvend?
Vjosa Osmani-Sadriu, LDK
Autostrada Prishtinë-Gjilan është bërë me qëllim të lehtësimit të udhëtimit të qytetarëve dhe lidhjes me dy akse rrugore, Autostradën Prishtinë-Shkup, dhe Koridorin e tetë që lidhë Evropën Juglindore me Athinën. Ky projekt ka të kryer edhe studimin e fizibiltetit. Unë shpresoj që kompanitë që merren me ndërtimin e këtij projekti t’i përmbahen normave profesionale dhe etike dhe mos të këtë praktika korruptive gjatë realizimit të projektit.
Përkundër arsyetimit të kësaj autostrade, qeveria e tanishme kanë propozuar edhe autostrada të reja që shkojnë me shpenzime deri në 1 miliardë euro, përkundër faktit që BERZH pati dhënë rekomandim që të kryhet me 70-80 milionë euro. Ky prandaj është keqpërdorim i parasë publike. Qeveria duhet të ndryshojë logjikën e qeverisjes dhe në vend se të shpenzojë mbi 80% të buxhetit në asfallt e paga, duhet t’i drejtojë investimet tek njerëzit, pra në shëndetësi e arsim.
Përshëndetje deputetja znj.Osmani, deshta të pyes rreth autostradës së Gjilan – Prishtinë. A nuk mendoni se po na vështirson rrugën me këtë autostradë sepse unë nuk besoj se kjo është për të mirën e gjilanasëve por vetëm për interes të njerëzve të cilët merren me këtë autostradë.