Për periudhën prill – qershor, shpenzimet e deputetëve në udhëtime jashtë vendit janë rritur për 86% në krahasim me pjesën e parë të vitit

Në bazë të raportit financiar për tre mujorin e dytë të vitit 2018, të cilën e ka publikuar Kuvendi i Kosovës, shihet se shpenzimet e deputetëve në udhëtimet jashtë vendit janë rritur për 86% krahasuar me tre mujorin e parë të këtij viti.  Në bazë të këtij raporti, vetëm për udhëtime të deputetëve jashtë vendit janë shpenzuar në total 112,236.13 € në 136 udhëtime të realizuara. Janë 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë realizuar udhëtime zyrtare gjatë kësaj periudhe.

Nga 136 udhëtime të realizuara, shteti në të cilën janë realizuar numri më i madh i vizitave nga ana e deputetëve është Shqipëria ku janë realizuar 34 udhëtime, pasuar nga Turqia, Gjermania dhe Franca me nga 10 udhëtime dhe në SHBA janë realizuar tetë udhëtime.

Pjesa më e madhe e buxhetit për udhëtime jashtë vendit është shpenzuar për mëditje dhe bileta të udhëtimit: 41,103.76 € për mëditje respektivisht 40,781.65 € për bileta. Ndërkaq, 27,982.36 € janë shpenzuar për akomodim në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 2,368.36 € në kategorinë e shpenzimeve të tjera.

Në raportin e publikuar, ashtu sikurse në raportet paraprake mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit dhe datat që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një udhëtim të caktuar. Mos publikimi i raportit të detajuar të shpenzimeve na kufizon në vlerësimin e menaxhimit të buxhetit nga ana e Kuvendit.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!