Si e shpenzoi Kuvendi i Kosovës buxhetin në katër vitet e fundit?

Bazuar në raportet vjetore financiare që Kuvendi i ka publikuar nga viti 2015 deri në vitin 2018, buxheti i ndarë për këtë institucion ka ndryshuar përgjatë këtyre katër viteve, por shpenzimet sipas kategorive janë pothuasje të njëjta gjatë kësaj periudhe. Shikuar sipas ndarjes buxhetore nëpër kategori, për katër vitet e fundit përqindja më e madhe e buxhetit (rreth 70% e buxhetit të përgjithshëm) ka qenë e ndarë për kategorinë ‘Paga dhe Mëditje’. Ndërsa pjesa tjetër e buxhetit prej 30% ka qenë e ndarë në katër kategoritë e tjera, gjegjësisht Mallra dhe Shërbime, Shpenzime Komunale, Shpenzime Kapitale si dhe Subvencione dhe Transfere.

Sipas raporteve finanaciare (2015-2018), përqindja më e lartë e shpenzimeve bazuar në ndarjet buxhetore për vit fiskal është bërë në vitin 2016, ku Kuvendi ka shpenzuar 99% të buxhetit vjetor. Një përqindje më e ulët me 95% të buxhetit të shpenzuar është viti 2015, ndërkaq në vitin 2018 dhe 2017 përqindja e shpenzimeve është respektivisht 92% dhe 91%. Vlen të theksohet fakti që viti 2017 ka qenë vit zgjedhor dhe për më shumë se 3 muaj Kuvendi ka qenë jofunksional deri në konstituimin e Legjislaturës së VI-të, që ka ndikuar në një përqindje më të ulët të shpenzimeve.

Sipas ndarjes buxhetore për kategoritë 'Paga dhe Mëditje', 'Shpenzime Komunale', si dhe 'Subvencione dhe Transfere', buxheti i shpenzuar është mbi 95%. Ndërsa, në dy kategoritë e tjera, përkatësisht atë 'Mallra dhe Shërbime’ dhe ‘Shpenzimeve Kapitale’, nuk e kanë shpenzuar në tërësi buxhetin e ndarë për linjat në fjalë.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!