17/07/2019
Kuvendi i Kosovës, po shënon rënie të performancës nga viti në vit sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve. Nga viti 2008 e deri në korrik të 2019-ës, Kuvendi i Kosovës ka arritur të monitorojë vetëm 84 ligje. Në vitin e parë kur ka filluar procesi i mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve më 2008, janë monitoruar 7 ligje, po aq janë monitoruar edhe një vit më pas. Ky trend shënoi rënie të madhe në 2010-ën pasi që Kuvendi kishte arritur të monitoroj vetëm 3 ligje. Viti 2011 konsiderohet vit i suksesshëm pasi përcillet me 11 ligje të monitoruara, por trendi nuk arrin të ruhet në vitin pasues. Në 2012 shifra e monitorimit të zbatimit të ligjeve nga ana e Kuvendit bie në 7 ligje të monitoruara. Kurse në vitin 2013 ishin gjithsej 13 ligje të monitoruara, në vitin 2014 kjo shifër ra në 8 ligje të monitoruara. Gjatë vitit 2015, Kuvendi kishte monitoruar zbatimin e 16 ligjeve. Në vitin 2016 ishin monitoruar 6 sosh përderisa në vitin 2017 janë monitoruar 5 ligje. Viti më i dobët në historinë e Kuvendit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve është viti 2018. Kuvendi, në këtë vit ka monitoruar vetëm një ligj.
Ndërkaq nga janari deri në korrik 2019 Kuvendi i Kosovës nuk ka mbikëqyrur zbatimin e asnjë ligji. Nga janari deri në fillim të muajit korrik 2019, komisionet parlamentare kanë realizuar 200 mbledhje dhe vetëm në 7 prej tyre kanë përfshirë si pika të rendit të ditës çështje që ndërlidhen me monitorim të zbatimit të ligjeve. Gjithashtu përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti, Kuvendi nuk ka arritur të miratoj në seancë plenare dy raporte të përfunduara të monitorimit të zbatimit të ligjeve që janë bartur nga viti 2018.
Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!