671 mungesa të deputetëve në 27 seanca të mbajtura

Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka mbajtur gjithsej 27 seanca (pa i përfshirë seancat solemne). Nga këto 27 seanca, shtatë prej tyre janë vazhdime të seancave. Përkundër numrit të vogël të seancave, mungesat e deputetëve në seanca të Kuvendit kanë qenë shumë të shpeshta. Në total, numri i përgjithshëm i mungesave të deputetëve për këtë sesion është 671 mungesa. Secili nga 120 deputetët ka munguar mesatarisht rreth 6 herë gjatë këtij sesioni, ndërsa mesatarisht në secilën seancë  kanë munguar deri në 25 deputetë.

Lista Serbe është grupi parlamentar që ka më së shumti mungesa gjatë këtij sesioni, me gjithsej 249 mungesa, që mesatarisht secili deputetë i këtij grupi parlamentar kanë munguar rreth 25 herë. Numri i madh i mungesave të deputetëve të grupit parlamentar të Listës Serbe është si rezultat i bojkotit parlamentar që ky grup parlamentar i ka bërë punës së Kuvendit që nga muaji mars i vitit 2018.

Grupi parlamentar i PDK-së është grupi i dytë parlamentar me më së shumti mungesa, gjithsej 94 mungesa (mesatarja 4 mungesa për deputetë). LDK ka regjistruar 81 mungesa (mesatarja 3 mungesa për deputetë), LVV ka 84 mungesa (mesatarja 4 mungesa për deputetë), pasuar nga PSD me 67 mungesa (mesatarja 6 mungesa për deputetë), AAK me 43 mungesa (mesatarja 3 mungesa për deputetë), NISMA me 24 mungesa (mesatarja 3 mungesa për deputetë), 6+ me 9 mungesa (mesatarja rreth 2 mungesa për deputetë) dhe deputetët pa grup parlamentar me 20 mungesa (mesatarja 5 mungesa për deputetë).

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!