30/08/2019
Punën e Kuvendit të Kosovës përgjatë gjithë Legjislaturës së VI-të e ka karakterizuar mungesa e theksuar e kuorumit në punimet plenare dhe mbarëvajtja e çrregullt e punës që kanë bllokuar në tërësi vendimmarrjen. Në pamundësi të vendimmarrjes, shumica e seancave plenare të mbajtura është dashur të shtyhen për ditë të tjera. Në rastet kur është siguruar kuorumi, shumë ligje nuk janë votuar, pasi që deputetët nuk kanë marrë pjesë në votim. Si rrjedhojë, është krijuar praktika që shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme të grumbullohen dhe të vendosen në një seancë të vetme.
Nga 134 seanca të mbajtura gjatë Legjislaturës së VI-të, duke përfshirë këtu edhe vazhdimet e seancave, 60 prej tyre janë shtyrë në mungesë të kuorumit ose shprehur në përqindje 45% e të gjitha seancave të mbajtura. Numri më i madh i seancave të shtyra për mungesë kuorumi gjegjësisht 48 prej tyre kanë qenë plenare ndërsa 12 të tjera seanca të jashtëzakonshme.
Bllokimi i pikave në seanca, sidomos pikat që kanë për shqyrtim projektligjet në parim të cilat nuk arrinin të votoheshin për mungesë të kuorumit ka ndikuar edhe në dinamikën e ulët të punës edhe tek komisionet parlamentare në procesin e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjta nuk arrinin të miratoheshin në parim në seancë.
Nga tetë seanca që kanë mbetur të papërfunduara me shpërndarjen e Legjislaturës së VI-të të Kuvendit të Kosovës, kanë mbetur edhe 34 pika të papërmbyllura duke përfshirë këtu shqyrtimi dhe miratimi i nëntë projektligjeve, miratimi i tetë rezolutave dhe dy rekomandimeve, miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit, raportet e monitorimit të zbatimit të dy ligjeve, votimi i anëtarëve të katër institucioneve të pavarura dhe raportet vjetore e tri institucioneve të pavarura e të tjera.
Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!