Përshëndetje i nderuar z.Kurteshi, vitin e kaluar kanë vdekur 28 persona në vendin e tyre të punës në sektorin privat dhe vazhdimisht përballen me këto kushte. A nuk e meritojnë një seancë për këtë gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e kësaj situate që është krijuar në vendin tone, ku me mijëra të rinjë po ikin jashtë vendit, njëri ndër ta jam edhe unë. Kam shpresë tek ju dhe kolegët e juaj që do të merrni hapa konkret rreth kësaj çështje. Me respekt!
Po, meritojnë një seancë të veçantë. Unë mendoj se përveç kësaj, unë mendoj se duhet bërë veprime paralele dhe të njëkohshme në ndryshimin dhe përmirësimin e ligjit të punës, i cili ka hyrë në procedurën parlamentare tani. Këtu duhet bërë lufta e tanishme, përveç luftës politike në seancë.
Ikja jashtë vendit është pasojë e dhembshme por e vërtetë e gjendjes së krijuar politike, ekonomike e shoqërore. Këto pushtetet e 20 viteve të fundit e kanë vrarë perspektivën e njeriut për jetë normale në Kosovë, duke kriminalizuar institucionet publike e private deri në absurd. Unë mund të garantoj se pikërisht ky është synimi themelor i Lëvizjes Vetëvendosje! Ndryshimi rrënjësor i kësaj gjendje për të mirë. Prandaj, fatkeqësisht, LVV luftohet me kaq agresivitet, egërsi, brutalitet, deri në vrasje nga pushtetet aktuale. Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje për të mirë. Ky është qëllimi i luftës tonë politike. Këtë mund ta arrijmë me qytetarët aktivë dhe të ndërgjegjshëm të Kosovës. Duke ju falënderuar për besimin për kontakt dhe komunikim, Ju përshëndes!
Me nderime,
Sami Kurteshi
Përshëndetje i nderuar z. Kurteshi, pyetja ime është në lidhje me rritjen e pagave të bashkëpunëtorëve profesional në Këshillin Gjyqësorë dhe Prokurorial. Nga disa raporte që kam lexuar nga shoqëria civile, kam parë se keni ngritur zërin që bashkëpunëtorëve profesional të këtyre dy institucioneve t'iu rritet paga. Pyetja është kjo, çka ka ndodhur me rritjen e pagave për këta bashkëpunëtorë profesional, pasi që është diskutuar në Komisionin për Legjislacion që të ketë rritje pagash për këtë kategori, apo jo? Shpresoj të marr përgjigjen e pyetjes sime!
Ne si LVV dhe unë personalisht e kemi ngritur në çdo rast të mundshëm, në çdo diskutim nëpër institucione, çështjen e bashkëpunëtorëve profesionalë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës. Ne jemi të lumtur që kemi arritur që në ligjet e posamiratuara për gjykatat, KGJK-ën dhe KPK-ën, të pranohet pjesërisht propozimi i LVV për rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve profesionalë për gjyqtarët dhe prokurorët. LVV dhe unë personalisht kemi kërkuar nga 2 bashkëpunëtorë profesionalë për çdo gjykatës dhe prokuror. Kuvendi ka miratuar nga një bashkëpunëtor profesional. Ky është një përmirësim i pjesërishëm, por relativisht pozitiv.
Sa i përket nivelit të pagave, LVV, respektivisht deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar koeficientin 5 për bashkëpunëtorët profesionalë në gjykata dhe prokurori. Fatkeqësisht, fatkeqësisht, në ligjin e pagave ky propozim i LVV nuk ka kaluar. Kuvendi ka miratuar një kofeficient 3.5 për bashkëpunëtorët profesionalë, që sipas mendimit tonë dhe timin, është një lëshim dhe gabim shumë i madh. Kjo nuk do të inkurajojë studentët-juristët e mirëfilltë të synojnë profesionin e bashkëpunëtorit profesional, sepse përgjegjësia, përgatitja dhe vëlllimi i punës nuk përputhen aspak me kompensimin dhe motivimin material, sidomos kur merret parasysh dallimi i madh në të ardhura midis gjykatësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Ju informojmë se vlera e koeficientit në Ligjin e posamiratuar në lexim të parë për pagat është 239 Euro. Pra, paga e bashkëpunëtorit profesional do të arrijë 836 Euro, që është dallim i madh me atë të prokurorit respektivisht gjykatësit.
Me nderime!