Pyetjet drejtuar deputetit Lumir Abdixhiku

  • 16/07/2019 Pyet: Januz Prishtinë

    I nderuar deputeti Lumir, kërkoj falje nëse nuk po e adresoj këtë pyetje tek personi adekuat! Une desha informata më në detaje rreth Ligjit të Legalizimit që është me ndryshime! Unë e kam legalizuar shtëpinë me ligjin e vjetër gjatë kohës që ka qenë me ligj dhe sa kemi informata si qytetarw shumë pak objekte janë legalizuar mirëpo tani me ligjin e ri sipas diskutimeve do jetë shumë më lirë legalizimi i objekteve. Shtrohet pyetja, po ne që legalizuam me tarifa shumë të lartë me ligjin e kaluar a është e paraparë kompenzimi me ligjin e ri për pjesën e qytetarëve që respektuan ligjin?

  • 07/02/2019 Pyet: hajredin Ferizaj

    Përshëndetje deputeti Abdixhiku, pyetje ime ka të bëj me gjendjen e personave me sindrom down. Mendoj që ka nevojë për një ligj për këta persona, ku siç e dini i marrin vetëm 100 euro në muaj, por që nevojat e tyre janë më të mëdha dhe kjo shumë nuk i përmbushë as për së afërmi, a mund ta ngritni këtë çështje dhe të kërkoni rritje për këtë shtresë. Falemnderit!

    08/02/2019

    I nderuari Hajredin, temën e ngritur nga ju do ta shtroj me organizatën “Down Syndrome Kosova” për të parë e kuptuar më mirë sfidat në këtë drejtim dhe mundësitë ligjore për t’i adresuar ato në Parlament.

     

  • 07/02/2019 Pyet: Edmond Kamenicë Pyetje per dialogun

    I nderuari deputet z.Lumir Abdixhiku a mendoni se çështja e dialogut me Serbinë nuk po bëhet si duhet dhe cila palë është vendimtare për dialogun ekipi negociator me z. Ahmetin dhe z. Limaj apo presidenti Thaçi, dhe cili do të ishte mendimi juaj për korigjimin e kufijëve dhe a paraqet rrezik për Kosovën. Faleminderit. 

    07/02/2019

    I nderuari Edmond, për kohën që flasim tani, politika kosovare e dialogut është e fragmentuar dhe kaotike njëkohësisht. Ky fragmentim është i theksuar brenda vet institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës; dhe atë në tri qëndrime kundërthënëse me njëra tjetrën.

    • Qëndrimi i parë është ai i Presidentit, dhe në masë të madhe konvergjon me idenë e korrigjimit territorial të Kosovës.

    • Qëndrimi i dytë, është ai i Qeverisë së Kosovës, i shprehur nëpërmjet “Draft Marrëveshjes gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

    • Qëndrimi i tretë, ndërsa, është në hartim e sipër nga “Delegacioni Shtetëror për Dialog me Serbinë”.

    Pra në rrethanat e tanishme, Kosova ka tri qëndrime politike nga tri institucione shtetërore. Përderisa Presidenca flet për territor, Qeveria prezanton një marrëveshje finale; e Kuvendi ndërsa harton parimet e negociatave eventuale. Asnjëherë më parë Kosova nuk ka pasur kaq shumë fragmentim politik e përmbajtësor siç ka sot.

    Të tri qëndrimet përveç se janë përjashtuese në substancë në mes vete, janë edhe në diskrepancë kronologjike kohore. S’mund të kesh edhe negociata për territor, edhe marrëveshje që ruan territorin. S’mund të kesh marrëveshje përfundimtare të Qeverisë në një anë, e hartim të parimeve e platformës dialoguese nga Parlamenti në anën tjetër.

    Dialogu s’është një poligon ku institucionet shtijnë me propozime sipas qejfit. Normalisht do të duhej të kishim një zë. Do të duhej t’i kishim një palë parime; e do të duhej të kishim një qëllim përfundimtar. Për t’i pasur këto, do të duhej të silleshim si shtet.

    Kaosi dialogues i tanishëm buron prej vet faktit që partitë e pushtetit nuk dinë të sillen si shtet. Pra ne sot kemi tri qëndrime, tri institucione dialoguese e tri kundërthënie propozuese sepse në thelb, në rend të parë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të abstenojë nga mandati i vet kushtetues që ka.

    Ditën që Kryeministri i Kosovës ka refuzuar të merret me dialog; po atë ditë është larguar dhe Qeveria e Kosovës nga procesi në fjalë. Me largimin e qeverisë, është larguar dhe shtetit i Kosovës rrjedhimisht. Ky abstenim i Kryeministrit dhe i Qeverisë është i paprecedent për Kosovën. As në Qeverinë Thaçi, as në Qeverinë Mustafa, as në Presidencën Jahjaga, nuk ka ndodhur që Kosova të mos përfaqësohet në dialog nga Kryeministri i vendit. Jo sepse është zgjedhje kjo. Por sepse është obligim kushtetues. S’mund të zgjedhësh funksione që ushtron si Kryeministër. Ose e ushtron funksionin në tërësi, ose dorëhiqesh nga pozita ushtruese që mbanë. Mes këtu nuk ka. Obligimet kushtetuese as nuk kontraktohen tek ekipet e tjera; e as nuk delegohen tek figurat e tjera.

    Abstenimi i Kryeministrit është përcjellë me imponim të Presidentit. Dhe këtu fillon kaosi institucional në vend. Këtu fillojnë më pas edhe derivimet e alternativave kontraverse nga Kosova. Presidenti, për arsye e motive krejtësisht personale, ka vendosur të kapërcejë nga pozicioni përfaqësues i politikës së jashtme, në pozicionin e krijuesit të saj. Sërish, si asnjë herë më parë, si në asnjë qeveri e si në asnjë presidencë më parë, rolet kushtetuese janë ndryshuar.

    Unë besoj se në thelb të një ndryshimi të tillë është kërcënimi që Presidenti i vendit i ka bërë Qeverisë Haradinaj për ekzistencë të saj. Pra arsyeja pse ne kemi një temë territoriale në tavolinë është sepse kemi një President mbikushtetues në përfaqësim. E arsyeja pse kemi një President mbikushtetues në përfaqësim është sepse Qeveria është e dobët në numra – pra në legjitimitet. Po të kishim një qeveri të fortë, me përfaqësim të pavarur politik, ky fragmentim do të ishte inekzistent. Është prezent vetëm e vetëm e sepse qeveria Haradinja s’ka shumicë.

    Për ta bërë gjithë skenën edhe më kaotike, Qeveria e Kosovës, pasi ka abstenuar nga dialogu dhe roli udhëheqës që do të duhej të kishte në tavolinë, ka vendosur të krijoj një institucion paralel shtetëror në Kuvend; ka vendosur ta kontraktojë funksionin e vet kushtetues tek një ekip tjetër dialogues. Këtij ekipi i ka dhënë emrin “ekipi shtetëror”; dhe i thotë se ka legjitimitet e koncensus.

    E vërteta është se ekipi shtetëror s’është as shtetëror, as s’ka legjitimitet e për më tepër s’është as konsensual në parakushtet minimiale të konceptit konsensus.S’është shtetëror sepse shtetërore është veç Qeveria e Kosovës. Përfaqësues kushtetues i Qeverisë është Kryeministri. Në tavolinë kur flitet për shtet, për këtë Kosovë, duhet të ulet vet Kryeministri. Jo si figurë e si emër i përveçëm, por si institucion; si institucion i Kryeministrit. Këtë institucion se zëvendësojnë as një e as dy bashkëdialogues; as Kryetarë Komunash e as Ministra e zëvendëskryeministra. Se zëvendësojnë edhe më pak 8 burra të tjerë që s’përfaqësojnë më shumë se 5-6% votë në Kosovë. Institucioni  qeverisë është i pazëvendësueshëm; ai zgjidhet me shumicë dhe duhet të ketë shumicë gjatë gjithë kohës.

    Mbi të gjitha, ekipi negociator nuk i plotëson kriteret minimale të legjitimitetit partiak apo përfaqësimit konsensual politik. Nuk plotëson kriterin e legjitimitetit partiak meqë është i ndërtuar mbi votat e deputetëve që s’përfaqësojnë shumicën qytetare në vend; dhe nuk plotëson kriterin e konsensusit politik meqë i njëjti nuk ka mbështetjen e opozitës – që njëkohësisht paraqet shumicën qytetare në vend.

    Pra, në rrethana të tilla, zëri i Kosovës në dialog jo vetëm që është i fragmentuar, porse i njëjti nuk arrin të artikulohet nga institucionet kushtetuese të Kosovës. Mbi të gjitha, ky zë s’është as konsensual e s’ka as legjitimitet politik.

    Dalja nga situata e tanishme nuk kërkon shumë mund. Në fakt, kërkon të sillemi minimalisht si shtet. Dhe janë tri hapa, që unë argumentoj, që Kosova duhet ti ndërmarrë tani.

    DIALOGU UDHËHIQET NGA QEVERIA – Për ne, udhëheqja e dialogut nga Qeveria është e paalternativë. Kjo sepse a) Kosova është shtet, dhe si shtet e njëjta ka institucionet kushtetuese të thirrura për përfaqësim ndërkombëtar – përfshirë dhe dialogimin me Serbinë; dhe b) sepse nëpërmjet Qeverisë, sigurohet raportimi dhe monitorimi eventual në Kuvend; siç parashihet me rendin kushtetues tonin. Një praktikë e tillë ka ekzistuar në të gjitha Qeveritë paraprake dialoguese të Kosovës; dhe nuk ka asnjë arsye logjike apo funksionale që të mos vazhdojë dhe tani.

    QEVERIA DUHET TË KETË LEGJITIMITET – Për ne, secila qeveri duhet të ketë legjitimitet politik; ndërsa rrethanat e tanishme politike e bëjnë këtë kërkesë edhe më ekzistenciale. Legjitimiteti arrihet ose me zgjedhje te parakoshme, ose me rikonfigurim politik; por ne te dyja rastet me renie te kesaj Qeverie. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet, nuk ka shumice, dhe nuk mund ta arrije kete shumice.

    LEGJITIMITETI ARRIHET ME GJITHËPËRFSHIRJE – Për ne, legjitimiteti rikonfigurues arrihet vetëm me gjithëpërfshirës të forcave politike parlamentare. Gjithëpërfshirja e jo vetëm konsensuzi i thjeshtë, është esenciale sepse a) bëhet fjalë për fazën finale të dialogut prandaj të gjitha partitë parlamentare duhet të jenë të përfshira në të; dhe b) sepse Kosovës i duhet një unitet i plotë për të trajtuar sfidat e jashtme që i vijnë në këtë relacion.