Përshëndetje deputetja Izmaku, po ju shkruaj lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe diskriminim e hapur që Qeveria e Kosovës i’u bën familjeve të dëshmorëve. Në vitin 2016 të gjitha familjeve të dëshmorëve i’u është ndërprerë pensioni kontributdhënës kurse me të njëjtat ligje dhe me të njëjtat arsye disa kategorive nuk i’u është ndërprerë e drejta e marrjes së pensioneve të dyfishta. Për më tëpër Qeveria e Kosovës në 28.12.2018 nxjerr vendim që disa kategorive i’u lejon marrjen e pensioneve të dyfishta (FSK). Avokati i Popullit, Ligjin për Skemat Pensionale e cilëson si shkelës të drejtave të njeriut dhe diskriminues dhe jep raport që ligji të ndryshohet. A keni mundësi që një gjë të tillë ta inicioni që ligji të ndryshohet dhe që mos të diskriminohen vetëm familjet e dëshmorëve?
E nderuara deputete, a ka mundësi të sqaroni nenin 13 pika 3 të Ligjit për Paga që sipas së cilit thuhet që funksionari publik me status të veçantë nuk përfiton shtesa tjera përveç atyre të përshkruar në nenin 14 (shtesat të posaçme për policët max 40%). Çfarë shtesa tjera i takojnë policisë? A i takojnë shtesat që i gëzojnë edhe nënpunësit civil (si për punë jashta orarit, shtesa për përvojën e punës etj)? Me Respekt!
E nderuara deputete znj.Izmaku ju falenderoj për përkushtimin që po keni në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Kosovë. Përkushtimi i juaj po dëshmohet edhe në platformën Vota Ime, meqë jeni një nga deputetët e rrallë që jeni përgjigjur pyetjeve të qytetarëve. Pyetja ime është në lidhje me pensionet familjare, babai im ka punuar para luftës deri sa masat e dhunshme e kanë larguar në vitin 1990. Pas luftës ka punuar deri në vitin 2014 deri sa ka ndërruar jetë. Nëna ime sipas ligjit duhej të ishte përfituese e Ligjit për pensionet familjare, mirëpo është refuzuar me arsyen se babai nuk ka pasur 15 vite përvojë pune para luftës (stazhi pas luftës nuk e kanë llogaritur). Si ka mundësi të ndodhë kjo kur ky është pension familjar, a ka mundësi të amendamentohet ky ligj? Me respekt!
Përshëndetje, saktësisht do të informohem nga ministri i punës dhe do t'iu përgjigjem përsëri në këtë platformë nëse mundemi në këtë drejtim të bëjmë ndryshime sepse ka shqetësime të njëjta si ju! Përndryshe, deri në moshën 65 vjeçare mund ta gëzoj nëse do të jetë ndryshimi, pastaj hyn në sistemin e vet të pensionit nëna juaj dhe të gjithë personat që nuk janë kontributdhënës! Me respekt!
E nderuara deputete, a e keni ngritur ndonjëherë në Kuvend çështjen e ndërtimit të urës në fshatin Pestovë? Kjo urë ka rëndësi shumë të madhe, pasi që lidhë shumë fshatra në komunën e Vushtrrisë. A nuk është mëkat që edhe 20 vite pas lufte ende nuk është ndërtuar, respektivisht përfunduar ura e re? Ura e vjetër është në gjendje të mjerueshme dhe është e papranueshme mosmirëmbajtja e saj, kur dihet se qarkullimi i automjetëve është shumë i madh. Me respekt!
Përshëndetje! E kam ngritur këtë çështje qysh në mandatin e parë dhe pastaj është renovuar pas iniciativës sime, kjo është e mbuluar edhe me video nga mediat! Ura e re ka qenë në planifikim dhe në këtë moment nuk e di ku ka ngecur procedura, por do ta ri-inicoj si problematikë! Ju falenderoj për pyetjen!
E nderuara deputete, znj. Xhevahire Izmaku po ju drejtohem juve e nderuar, pasi që edhe ju jeni e të njëjtës komunë, pra nga Komuna e Vushtrrisë. Unë dhe 74 familje tjera banojmë në Lummadh në banesat në të cilat para lufte kanë qenë refugjatët serb nga Kroacia, për këtë sigurisht se ju keni njohuri edhe më të mëdha. Në këto banesa jetojnë kryesisht familje të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve por edhe familje tjera me kushte të vështira ekonomike. Në këtë kompleks që prej ndërtimit të tyre në vitin 1995, asnjë investimi infrastrukturor nuk është bërë. E vetmja lagje në Lummadh edhe në rrethinë që mungon ndriçimi, edhe pse llampat elektrike janë që nga paralufta, rrugët janë të dëmtuara, trotuaret gjithashtu, me një fjalë, nuk është investuar asnjëherë. Banesat në përgjithësi janë të demoluara për shkak të ndërrimit të shpeshtë, statusi i tyre është i parregulluar. Kërkesa ime do të ishte që të bëni diçka për këto familje dhe ta ngrisni në Kuvend si shqetësim. Me shumë respekt!
Të nderuar, çështjen e statusit të këtyre banesa e kam ngritur qysh në mandatin tim të parë! Kjo çështje ende është e ndjeshme në çështjen e legalitetit! Sa i përket gjendjes së infrastrukturës, kjo kompetencë është decidive e pushtetit lokal! Ju lutem që të njëjtën kërkesë ta shtroni drejtuar organeve komunale në Vushtrri, ndërsa unë do të bart shqetësimin tim tek asambleistet e PDK-së në Vushtrri! Unë do të përcjellë këtë shqetësim në të gjitha organet kompetente derisa kjo të evitohet dhe ju të keni jetë më të mirë! Me respekt!