100 ditëshi i punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në numra

Legjislatura e VI-të e Kuvendit të Kosovës, që nga 3 gushti i këtij viti, kur edhe zyrtarisht ka nisur punën, deri më tani ka kaluar 100 ditëshin e tij të parë. Dy muajt e parë të punës së kësaj legjislature kanë qenë mjaftë pasiv, ndryshe prej muajt të fundit ku është vërejtur një dinamikë më e lartë e punës.

Për 100 ditët e para, intensitet më i lartë i punës vërehet tek komisionet parlamentare të cilat kanë mbajtur 67 mbledhje të rregullta për këtë periudhë. Një element i rëndësishëm nga këto takime të realizuar deri më tani, është raportimi i ministrave, përkatësisht takimet informuese me ministrat e kabinetit të ri qeveritar, ku deri tash 13 prej tyre janë ftuar për raportim.

Pikë më e dobët e Kuvendit për periudhën raportuese është përmbushja e agjendës legjislative. Janë miratuar vetëm 2 ligje, ai për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Me gjithë ligjet e miratuara, vlen të ceket që Kuvendi ende nuk e ka miratuar një plan të punës për këtë vit. Ndërsa, në procedurë nga komisionet parlamentare janë 20 projektligje, të cilat pritet të shqyrtohen.

Sa i përket seancave plenare, janë mbajtur vetëm 7 sosh, duke përfshirë seancën konstituive dhe seancën e jashtëzakonshme.

Në kuadër të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës, Kuvendi ka pasur performancë relativisht të mirë. Deputetët kanë parashtruar 27 pyetje parlamentare, prej të cilave vetëm njëra ka ardhur nga deputetët e shumicës parlamentare, kurse pjesa tjetër nga ata opozitarë. Kurse, si mekanizëm tjetër nëpërmjet të cilit deputet e Kuvendit kanë ushtruar funksionin mbikëqyrës është interpelanca. Për këtë periudhë është mbajtur një e tillë, e ftuar nga grupi parlamentar i LDK-së, ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me çështjen e akuzave ndaj ministrit Nenad Rikallo.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!