Sa ligje miratoi Kuvendi gjatë sesionit pranveror 2019?

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar punimet gjatë këtij sesioni pa një plan – program të punës edhe pse me Rregullore të Punës është e përcaktuar që të miratohet një i tillë. Sa i përket agjendës legjislative, Kuvendi kishte filluar vitin me 55 projektligje në procedurë të bartura nga viti paraprak, të cilat nuk kishin arritur të përfundonin pavarësisht planifikimeve. Bazuar në programin legjislativ të Qeverisë për Kuvendin, projektligjeve të bartuara nga viti paraprak dhe nismat ligjore që i ka ndërmarrë Kuvendi, për këtë vit janë paraparë për shqyrtim 144 projektligje.

Për këtë sesion, Kuvendi ka arritur që të miratojë 28 ligje apo 18% të planifikimit. Ndërkohë në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim kanë mbetur edhe 45 projektligje (31%), ndërsa 71 projektligje (50%) nuk janë përgatitur ende. Edhe këtë session është përsëritur dukuria e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar, gjë që ka ndodhur në 2 nga ligjet e miratuara.

Prej 28 ligjeve të miratuara, 26 prej tyre janë nga agjenda e vitit të kaluar të cilat veçse kanë qenë në procedurë të shqyrtimit gjatë vitit paraprak dhe janë bartur për këtë vit, ndërkaq vetëm dy prej tyre janë ligje të agjendës së këtij viti.

 

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!