Përshëndetje deputete e nderuar, uroj të jeni mirë dhe punët po ju ecin mirë! Kam një pyetje rreth ligjit të sapo aprovuar në Kuvend, Ligji për zyrtarët publik. Tek Ligji për zyrtarët publik, ajo çka po më intereson më së shumti (e di që gjatë sesioneve informuese që i mbante ministri i MAPL-së, e pati theksuar që me këtë pako eleminohet edhe një element shumë me rëndësi që ka qenë për të papunësuarit, e që është përvoja mbas diplomimit), po dua të më marrë një përgjigje konkrete. A është në këtë pako që ka kaluar në Kuvend dhe kjo pjesa e përvojës mbas diplomimit dhe që ka qenë një hendikep shumë i madh për profesionist, për të sapo diplomuarit dhe të diplomuarit po që nuk kanë arrit që të bëjnë përvojë mbas diplomimit dhe që janë penalizu nëpër konkurse në institucione publike. Nëse mundeni të më jepni një përgjigje definitive, sepse tek Ligji për zyrtarët publik ka qenë ajo pikë që e ceka dhe nëse vlen zbatueshmëria me ligjin e ri, a hyn në fuqi edhe kjo mbas 9 muajve apo hyn në fuqi menjëherë?
Përshëndetje Qëndresa! Faleminderit për pyetjen. E kuptoj se është shqetësim i madh për të posa diplomuarit për të konkurruar në shumë pozita ngase njëra nga kërkesat pothuajse çdo herë është edhe përvoja e punës. Me ligjin rekrutimi, për pozita të caktuara në shërbimin civil do të bëhet në grup dhe procesi do të menaxhohet nga Ministria e Administratës Publike. Për disa pozita të caktuara e sidomos ato drejtuese përvoja e punës do të mbetet njëri nga kriteret por për disa pozita tjera përvoja e punës nuk është kriter. Por kjo do të rregullohet me në detaje me akte nënligjore që I nxjerr Ministria e Administratës Publike. Megjithatë çështja e përvojës së punës do të rregullohet edhe ligjin për vullnetarizëm që ata student që kryejnë punë të caktuara vullnetarë gjatë studimeve ky angazhim të ju njihet si përvoje e punës. Ligji për zyrtarë publik hynë ne fuqi 6 muaj pas publikimit në gazetën zyrtare e që i bie në shtator të këtij viti. Me respekt!
Përshëndetje z.Molliqaj, pyetja ime është kjo: A do të izolohej PSD-ja nga Edi Rama dhe politika e tij, nëse akuzat që ky i fundit ka gisht në korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dalin të vërteta? Këtë pyetje po e bëjë pas paraqitjes së juaj të fundit në emisionin Dialog Plus, ku e potencuat absurditetin e Albin Kurtit për favorizimin e Sali Berishës. Faleminderit, me të mira!
Përshëndetje i nderuar deputet, a mundeni të na informoni në bazë të Ligjit të pagave sa është koeficienti për inspektorët tatimor në ATK, si dhe sa është shtesa - rrezikshmëria?
Përshëndetje deputeti Salihu, shqetësimi im ka të bëj më gjendjen e mjerueshme të punëtorëve në sektorin privat, ku në mënyrë flagrante shkelen të drejtat e punëtorëve duke punuar me orar të zgjatur, pa pushime vjetore dhe me paga shumë të ulta që nuk e kalojnë shumën prej 250 eurosh. Kjo shumë nuk e mbulon as shpenzimet më të vogla që i ka çdo familje, pagesat për ujë, rrymë e ushqim. Pse nuk po e ngritni këtë çështje në Kuvend, pse nuk ka një Ligj apo vendime për punëtorët e sektorit privat, Jam shumë i shqetësuar për pagat minimale në sektorin privat, mendoj që përgjgegjsia bie mbi ju si deputetë që të ndërrmerrni diçka.
I nderuar deputeti z.Salihu, ju keni marrë më së shumti mbështetje në zgjedhje dhe më së shumti vota nga komuna e Drenasit dhe Skenderajt. A mund të më tregoni a keni adresuar ndonjë problem që i shqetëson qytetarët e këtyre dy komunave në Kuvendin e Kosovës?
Përshëndetje e nderuara deputete znj.Blerta Deliu-Kodra – Kodra, sipas të dhënave për shpenzimet e deputetëve në udhëtime jashtë vendit, shihet se ju keni pasur shumë udhëtime. Cilat kanë qenë rezultatet e takimeve të realizuara në kuadër të përmbushjes së agjendës Evropiane për Kosovën?
I nderuar z.Veseli, pasi që keni miratuar Ligjin për pagat në sektorin publik a nuk mendoni që në sektorin privat duhet ndërhyrje patjetër? Në sektorin privat janë aktiv afër 270 mijë punëtorë me paga shumë të ulëta duhet patjetër të vendoset në Kuvend sepse është çështje shumë serioze.
I nderuar deputet z.Hoti, si qytetar dhe i ri i Kosovës dhe i kombit kosovar dëshiroj t’iu adresoj këtë pyetje: Në muajin dhjetor të vitit 2018, e kishim një debat për përkrahjen e rinisë në Qeverinë e Kosovës. Unë kam kërkuar që buxheti për rininë të jetë 25 milion euro në vit, ndërsa ju më premtuat që do të bëni të pamundurën që ky fond të realizohet andaj po kërkoj nga ju përgjigje lidhur me këtë premtim. Nëse është realizuar më dërgoni Ligjin dhe numrin e votave që ka marr ky projekt-buxhet dhe kur pritet të hyjë në zbatim, nëse nuk është realizuar ky premtim më tregoni ju lutem arsyet pse nuk është realizuar? Ju uroj gjitha të mirat!
I nderuar deputeti Reçica, unë kam një pyetje për ju lidhur me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat. Personalisht kam gjashtë vite që punoj në sektor privat dhe rroga që kam marrë për gjithë këto vite nuk e ka kaluar shumën prej 220 euro. Kur do të filloj Kuvendi dhe ju si deputetë të mendoni për gjendjen e punëtorëve në sektorin privat dhe të bëni diçka në këtë drejtim?
I nderuari z. Muhamed, kam kënaqësinë e veçantë të ju përgjigjem në pyetjen tuaj të cilën ma keni parashtruar e që ndërlidhet me gjendjen e punëtorëve dhe nivelin e të ardhurave në sektorin privat. Me këtë rast, e kuptojë shumë drejtë shqetësimin tuaj lidhur me gjendjen e punëtorëve, nivelin e të ardhurave, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në sektorin privat.
Si deputetë të Kuvendit të Kosovës, do të angazhohemi dhe do të kujdesemi të ngrisim më tej përgjegjësinë e punëdhënësve për të respektuar të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, përveç tjerash edhe mundësinë për të vendosur zbatimin dhe përfshirjen e parimeve bazë në kuadër të sistemit të pagave në sektorin privat, si fjala bie: parimi i pagës së barabartë; parimi i transparencës; parimi i ligjshmërisë; parimi i mosdiskriminimit etj.
Edhe në sektorin privat zbatohen dispozitat e Ligjit të Punës Nr.03/L-212, Qeveria e Repubikës së Kosovës është duke e draftuar këtë ligj me qëllim të avansimit të të drejtave që dalin nga ky ligj, që të ngriten më tej kushtet socio-ekonomike dhe forcimin e mekanizmit për zbatimin e këtyre të drejtave. Jemi në konsultim me mekanizmat relevant me qëllim të rritjes së nivelit të pagës mesatare në Republikën e Kosovës.
Si institucione shtetërore jemi të angazhuar në zbatimin dhe implementimin e vazhdueshëm të politikave të favorshme fiskale, në përgatitjen e ligjeve tatimore që mundësojnë masa mbrojtëse tatimore për prodhuesit tanë si dhe përgatitjen për masat e reja fiskale në harmoni të plotë me nevojat dhe kërkesat e sektorit privat, në përgatitjen e reformave ligjore që do të paraqesin siguri të plotë juridike, qoftë për bizneset vendore por edhe ato të huaja, në mënyrë që të mundësohet fuqizimi i bizneseve e mëpastaj edhe ngritja e pagave në sektorin privat, me këtë rast, më duhet të përmend kontributin e ministrit të financave Bedri Hamza dhe të akterëve të tjerë institucional e shtetëror.
Duke ju dëshiruar gjithë të mirat për juve dhe familjen tuaj, shpresoj se me përgjigjen time kam arritur të përmbush sado pak pritjet e juaja nga parashtrimi i pyetjes suaj, gjithashtu me shumë dashamirësi dhe kënaqësi i mirëpres edhe në të ardhmen parashtrimin e pyetjeve, shqetësimeve dhe adresimet e juaja eventuale!
E nderuara deputete znj.Deliu- Kodra, sa jeni të angazhuar që çështjen e liberalizimit të vizave ta procedoni në agjendën e Këshillit të ministrave të BE-së që mbahet në mars 2019? Dihet që Presidenca e BE-së në gjashtë muajt e parë të këtij viti do t’I kaloj Rumanisë, por në votimin e fundit në PE, shumica e eurodeputetëve rumunë kanë votuar PRO heqjes së vizave, edhe pse Rumania nuk e njeh shtetesinë tonë! A mendoni se me një lobim më aktiv nga ana juaj tek krerët e BE-së ju imponohet Rumanisë vendosja në agjendë e çështjes së vizave? Ju dëshiroj punë të mbarë dhe gjitha të mirat!
Përshëndetje i nderuar deputet z.Sherifi, kur do të bëhet Ligji për punëtorët në sektorin privat? Pasi që dihet se në sektorin privat ka shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve, si në paga dhe në orar të punës. Sektori privat është më i shkelur dhe i lënë anash nga ana e shtetit, sa do që rriten pagat në sektorin publik kjo ndikon në mënyrë negative tek sektori privat sepse menjëherë ka ngritje të çmimit të artikujve e kjo ndikon në xhepin e qytetarëve të cilët punojnë në sektorin privat.
Përshëndetje i nderuar deputeti Beqa, pyetja ime ka të bëj me shërbimin korrektues nuk gjindet në asnjë list në Ligjin për Paga. Jemi duke punuar në këtë institucion dhe kemi mbetur në hije krahasur me institucionet e tjera.
I nderuar deputet z.Kurti, pyetja ime ka të bëj me taksën e vënë nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe. Cili është mendimi juaj, a duhet ta mbajmë në fuqi, ta heqim tërësisht apo vetëm të pezullohet përkohësisht?
Përshëndetje deputeti Kurti, shqetësimi im ka të bëj me problemet e jashtëzakonshme mbi zbatimin e kontratës kolektive në sektorin privat e cila nuk gjen zbatim askund. Ky është një problem tejet i madh dhe kjo është arsyeja se pse shumica e te rinjëve largohen nga ky vend. Ju lutem ta ngritni si çështje në Kuvend dhe të filloj një hetim mbi kompanitë të cilat e zbatojnë kontratën kolektive dhe cilat jo.
Përshëndetje deputeti Konjufca, pyetja ime ka të bëj me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat. Problemi më i madh në sektorin privat qëndron tek zbatimi i kontratës kolektive, pse nuk ka reagim nga deputetët e Kuvendit kur dihet se kjo është problematika më e madhe e gjithë sektorit privat?