I nderuar z. Tahiri, unë jam një banor i Ferizajt, jetoj në rrugën e parkut që e lidhë rrugën e Prizrenit me fshatin Balaj. I nderuar që kur hapsira tek pishat është shpallur park, ne banorëve të kësaj rruge na është vështirësuar jeta për shkak të pluhurit që bëhet nga qarkullimi i veturave. Deri tani asnjë nga partitë që kanë qenë në pushtet, as LDK dhe PDK nuk kanë marrë parasysh kërkesat tona për rregullimin e kësaj rruge edhe pse i ka vetëm 500 metra dhe është 2 km larg qendrës së qytetit. Po kërkoj ju nga ju që të përdorni pozitën tuaj si deputet që ta ngrisni këtë çështje tek ministria përkatese në mënyrë që të ndërmerret diçka në këtë drejtim. Unë ju ftoj të vini dhe të na vizitoni për të parë gjendjen faktike. Ju falemnderit shumë paraprakisht!
Përshëndetje deputetja Musliu, pyetja ime është se çfarë keni bërë ju në lidhje me shkeljen e të drejtave të familjeve të dëshmorëve me ndaljen e pensioneve kontributdhënëse ose të moshës? Pse nuk e keni ngrit këtë çështje për debat parlamentar?
Përshëndetje deputetja Musliu, si qytetarë i këtij vendi dhe si prind po ndaj shqetësimin tim me ju lidhur me veprimet e fundit të SBASHK-ut, ku i i sindikatës po e kërcënon gjithë shtetin me greva tash e disa herë. Pse shteti nuk reagon për sjelljet dhe kërcënimet e tij ndaj fëmijëve për mbajtjen e mësimit?
I nderuari z.Gashi, Ju falenderoj për kohën që keni nda dhe më keni zgjedhur mua që të më adresoni një pyetje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme. Unë nuk mundem të jap përgjigjeje në emër të shtetit por mund ta shprehë qëndrimin tim si deputete. Veprimet e SBASHK-ut edhe për mua si deputete janë të papranueshme dhe jo korrekte. Këtë shqetësim e kam ngritur edhe në Grupin Parlamentar të PDK-së dhe në forumet tjera të Partisë sepse në tërë këtë maskarade mëse shumti po e pësojnë fëmijët dhe ju prindërit. Askush nuk ka të drejtë të abuzoj me besimin e dhënë për të përfaqësuar qoftë edhe si anëtar apo drejtues i një sindikate. Duhet t’i themi mjaft kësaj gjendje dhe të gjejmë mënyrën si të dalim nga kjo situatë e pa nevojshme dhe e pakuptimtë. Mbesë me shpresë që ky problem të zgjidhet dhe secili ta kuptoj drejtë rolin dhe kompetencat e tij në shoqëri.
Me shumë konsideratë dhe respekt për Ju!
Ganimete Musliu
Përshëndetje z. Kurti, pse nuk bëheni bashkë të gjitha partitë dhe ju deputetët e LVV-së me qëndrime të njëjta, që Serbia të na kthej dëmet e luftës prej vitit "1981" - "23-03-2019". Shuma e përgjithshme që Serbia ka borxh ndaj nesh është 55 miliardë euro prej tyre 35 milardë euro për Kosovën dhe 20 miliardë euro që u’a ka borxh shteteve që e kanë ndihmuar Kosovën? Mendoj që në të gjitha televizionet e Kosovës kjo temë është tabu dhe nuk flitet as nga deputetët e LVV-së dhe partive të tjera.Mendoj që kjo temë është aq e gjerë dhe aq e nevojshme për Kosovën sa që i "zhbllokon" të gjitha temat tjera në Kosovë.
Përshëndetje Gëzim,
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar alternativën me katër hapa për bisedime me Serbinë, pra për bisedime alternative, të përgatitura mirë për zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme. Këtë alternativë ne e kemi prezantuar në konferenca të shumta për medie, në tryeza të përbashkëta dhe në Kuvend.
Hapi i dytë që ne kemi propozuar është se ne duhet ta dimë se çka duam, cilat janë qëllimet tona në bisedimet me Serbinë. Kuvendi i Republikës duhet ta përcaktojë qartë se cilat janë qëllimet e shtetit tonë dhe ato qëllime duhet të përkthehen mandej në listë kërkesash zyrtare ndaj Serbisë. Natyrisht që edhe Serbia do të ketë listë të kërkesave, por kjo nuk na intereson neve tash. Ne duhet ta dimë dhe përcaktojmë çka ne duam, psh. njohja e pavarësisë, kthimi i të pagjeturve, reciprociteti i të drejtave, reparacioni e sukcesioni etj. le ta përcaktojmë qartë e saktë dhe le ta bëjmë këtë kërkesë zyrtare.
Ne, sikurse ju, mendojmë se të gjitha partitë mund të pajtohen rreth kësaj liste dhe se është e domosdoshme që ta kemi këtë listë para se të shkojmë në negociata me Serbinë.
Përshëndetje deputeti z.Deda, nga një votues i juaji. Deshta ta di qëndrimin tuaj ndaj çështjes së dialogut?
Përshëndetje i nderuar z.Kurti, a ka mundësi që ju si deputet të ngrisni për debat çështjen se pse Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka bërë ende marrëveshje me shtetin francez për të vendosur në kurrikulat shkollore edhe orën e gjuhës shqipe ashtu siç ka bërë Serbia?
Përshëndetje z.Kurti, çfarë propozoni në mënyrë konkrete për të zgjidhur çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Si e mendoni që mund të bashkohen ata, pa e dëmtuar Kosovën?
I nderuar z.Kurti, a mendoni se duhet të kaloj përmes Kuvendit të Kosovës një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë?
I nderuar z.Kurti, cili është mendimi juaj për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, cila është e ardhmja e këtij dialogu?
Përshëndetje Fahredin,
Po, unë mendoj se një marrëveshje e tillë duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës me dy të tretat. Por, dy të tretat janë të nevojshme prej fillimit, jo vetëm në fund. Për shembull, kur është votuar për ‘delegacionin shtetëror', mezi i bënë 59 vota. Është e rëndësishme të theksohet që çdo herë në Kuvendin e Republikës kur u delegohet një mision a një funksion i rëndësishëm emrave të përveçëm, atëherë duhet të vendoset me 2/3. Dy të tretat janë të domosdoshme pra, kur votohet për emra të përveçëm, sepse shteti ngelet disi në mëshirë të karaktereve njerëzore të individëve të veçantë. Pra, siç e theksova edhe më lart, dy të tretat prej fillimit, jo dy të tretat në fund. Nëse duam konsensus nacional, shtetëror, për këtë çështje kaq të rëndësishme, të cilën e pohojmë të gjithë, me dy të tretat prej fillimit: dy të tretat platforma, dy të tretat ekipi negociator. Jo dy të tretat vetëm në fund për marrëveshje. Konsensusi progresiv e do shumicën prej dy të tretave prej fillimit, jo vetëm në fund.
I nderuari deputeti z.Aliu, ju si njëri nga deputetët me prejardhje nga Lugina e Preshevës dhe shumë i respektuar nga ne, si e shihni zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në jug të Serbisë. Pse nuk e mbështesni idenë e Presidentit Thaçi? A mendoni se ky është momenti me i volitshëm në historinë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të jenë pjesë përbërse e Kosovës si dhe shqiptarisë në përgjithësi. Ne si shqiptarë të këtyre trevave po vlerësojmë se ky është treni i fundit për ne, andaj ne presim nga Ju një qëndrim më konkret në pajtueshmëri të plotë me vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve në Luginë. Ju faleminderit!
E nderuar deputete, në Ligjin për Zyrtarët Publik, neni 3, thuhet se ky ligj nuk zbatohet për funksionarët publik me status të veçantë. Ndërsa Ligji për Pagat, neni 13, përjashton këtë kategori nga çdo shtesë tjetër përveç shtesës së përcaktuar me nenin 14. A nënkupton kjo që funksionarët me status të veçantë (konkretisht policisë) maksimumi i të gjitha shtesave mund të jetë 40%, duke përfshirë rrezikshmërinë, orët jashtë orarit të punës si dhe shtesat tjera? Me respekt!
Përshëndetje Driton faleminderit për pyetjen! Në ligjin për pagat jemi munduar që të ulim llojet e shumta të shtesave duke i përfshirë shumin prej tyre në pagën bazë, Pra i kemi rritë koeficientet por e kemi ulë numrin dhe llojin e shtesave. Në ligj po ashtu përcaktohen vetëm kornizat kryesore dhe niveli më i lartë i shtesave brenda një kategorie të caktuar por detajet pastaj përcaktohen me rregullore të cilat do i hartojë qeveria. Prandaj për detajet rreth shtesave që ju gëzoni ju lutëm drejtojuni Ministrisë së Administratës Publike të cilët janë më të thirrur për të bërë edhe interpretimin e neneve të caktuara të ligjit.
Sinqerisht,
Shqipja
Përshëndetje znj.Pantina, e lexova në këtë platformë përgjigjen që keni dhënë në një pyetje në lidhje me përvojën e punës. Është edhe një problem me rregulloren 02/2010 për rekrutim në shërbimin civil, sipas së cilës diploma e fakultetit është kusht vetëm për të fituar të drejtën në intervistë me shkrim, kurse nuk poentohesh për suksesin në studime si një me mesatare 6 sikurse ai me mesatare 10 por vetëm e fiton të drejtën e intervistimit. Ndërsa një student me mesatare 10 vlerësohet nga një komision që mesatarja e tyre e studimeve mund të jetë 6. Pse nuk vlerësohet edhe suksesi i studimeve dhe a mund të ndryshohet kjo me ligj?
Përshëndetje Dren, siç e keni potencuar edhe ju çështja e përvojës së punës dhe rregullat tjera në lidhje me rekrutimin në pozita të ndryshme në stafin civil, rregullohen me akte nënligjore pra me Rregullore të cilën në këtë rast e nxjerr Ministria e administratës publike e jo Kuvendi. Unë besoj se Ministria do të organizoj dëgjime publike kur të I harton rregulloret dhe unë ju inkurajoj që këto propozime tuajat të i adresoni tek grupi i punës për hartimin e rregullores. Unë do e përcjell shqetësimin tuaj dhe të shumë të rinjve të posa diplomuar tek MAP por ju inkurajoj që këtë ta bëni edhe ju ngase siç e përmenda më lartë ata janë hartuesit e Rregullores
Suksese, Shqipja
Përshëndetje znj. Haxhiu, po ju shkruaj lidhur me Ligjin për Skemat Pensionale. Ligjin në fuqi, avokati i popullit e ka cilësuar si ligj që shkelë të drejtat e njeriut dhe është diskriminues dhe i sygjeron MPMS-së që t’i bëj plotësim - ndryshimet e nevojshme mirëpo ende nuk ka reagim nga MPMS-ja. Ky ligj që nga viti 2016 ju ndalon marrjen e pensionit kontributdhënës të gjitha familjeve të dëshmorëve me arsyen që janë duke marrë benificion për dëshmorë, kurse Qeveria me vendim disa kategorive ua lejon. A është e mundur që ky ligj të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese?
Përshëndetje Dren, të falemnderit për pyetjen tënde. Në fakt Ligji për skemat pensionale, përmban në vete shumë probleme dhe një prej problemeve dhe padrejtësive që e kemi dëgjuar më së shpeshti është pikërisht problemi i parashtruar me pyetjen tënde. Sipas informacioneve që i kam Ministria është duke punuar në këtë çështje me anë të grupeve punuese, ndonëse nuk jam fare e informuar se cilat do të jenë ndryshimet. Çfarëdo ndryshimi që mund ta bëj, procedohet në seancë, më tej aty do të kemi mundësinë e adresimit të kësaj çështje dhe të tjerave të ngjashme.
Sa i perket Gjykates Kushtetuese, janë të drejta të kufizuara ( afati për kontestim nga deputetët dhe Avokati i Popullit ka kaluar). Ju si palë, jeni të obliguar t’i ndjekni mjetet e rregullta juridike para dërgimit në Gjykatën Kushtetuese.
Përshëndetje z.Kurti, do të doja t’iu pyes se të gjitha familjeve të dëshmorëve i’u është ndërprerë marrja e pensionëve të dyfishta dhe askush nuk ka reaguar. Ju si VV si e komentoni këtë dhe cila është përgjigja juaj lidhur me këtë ndalesë. Si e mendoni që duhet rregulluar kjo?
Përshëndetje deputeti Kurteshi, meqenëse praktika e nxjerrjeve të ligjeve tek ne na ka mësuar që ligjet janë në kundërshtim njëri me tjetrin, dëshiroj t’iu pyes si Kryetar i Komisionit për Arsim se si e keni paraparë marrjen e shtesës për mësimdhënësit e viteve 1990/99. Dihet se disave u janë ndaluar pensionet kontributëdhënëse, si do të veprohet në rastet kur dy bashkëshortët kanë punuar në atë kohë mirëpo njeri ka ndërruar jetë?
Përshëndetje të nderuar, përgjigjen për këtë çështje duhet ta kërkoni nga zyrtarët e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, megjithatë për aq sa kam njohuri unë në këtë fushë, në rastin konkret që ju e keni shtruar, kur njeri nga përfituesit vdesë, përfituesi që e shfrytëzon pensionin bazuar në kontributin personal, mbetet me pensionin e tij, pra nuk e trashëgon pensionin e bashkëshortit/es. Por unë nuk jam jurist, juristët janë interpretuesit profesional të ligjeve.
Me respekt, Ismajl Kurteshi